GJND: 10 me 4 në favor të Kosovës PDF Print E-mail
Thursday, 22 July 2010 18:47

Me 10 vota për dhe 4 kundër, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konkluduar se shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk ka qenë shkelje e të drejtës ndërkombëtare.

Gjykata gjithashtu ka argumentuar se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit dhe Korniza Kushtuese, e cila ishte në fuqi, në kohën e shpalljes së pavarësisë nuk e kanë penguar shpalljen e pavarësisë.


Gjykata ka shprehur mendimin se shpallja e pavarësisë nuk i ka shkelur Rezolutën 1244 dhe as Kornizën Kushtetuese.

Vendimi pritet t’i hapë rrugë njohjeve të reja të pavarësisë.

Për votuan edhe dy shtete që s’e njohin Kosovën

Në favor të Kosovës kanë votuar këta gjyqtarë:
Hisashi Owada – Japoni, president i GJND-së
Thomas Buergenthal nga SHBA,
Christopher Greenwood nga Britania e Madhe,
Ronny Abraham nga Franca,
Bruno Simma nga Gjermania,
Kenneth Keith nga Zelanda e Re,
Awn Shawkat Al-Khasawneh nga Jordania,
Antônio A. Cançado Trindade nga Brazili,
Abdulqawi Ahmed Yusuf nga Somalia,
Bernardo Sepúlveda - Amor nga Meksika,

Kundër kanë qenë:
Peter Tomka – nënpresident, përfaqësues nga Sllovakia,
Leonid Skotnikov nga Federata Ruse,
Abdul G. Koroma nga Sierra Leone,
Mohamed Bennouna nga Moroku.

Katër vendet të cilat kanë votuar kundër nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Por mosnjohja e realitetit të ri në Kosovë, nuk i ka penguar dy vende (Brazilin dhe Meksikën) të votojnë në favor të Kosovës.

Owada: Shpallja e pavarësisë s’e shkeli të drejtën ndërkombëtare

E drejta ndërkombëtare nuk përmban asnjë ndalesë për shpalljen e pavarësisë.

Kështu ka deklaruar presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, gjykatësi nga Japonia, Hisashi Owada, gjatë leximit të opinionit këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë shpalljen e për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Për më tepër, shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”, ka theksuar Owada.

Hyseni pret njohje të reja

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, nëpërmes një deklarate për shtyp ka mirëpritur mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të dhënë sot në lidhje me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, theksohet në deklaratën shpërndarë medieve.

Hyseni pret, pas këtij vendimi, njohje të mëtejme të Kosovës. Ai iu ka bërë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen.

“Nuk ka asgjë në Mendimin e dhënë nga Gjykata që hedh çfarëdo dileme rreth shtetësisë së Republikës së Kosovës, tashmë një realitet i pakontestueshëm. Shihet qartë se pavarësia e Kosovës nuk ka krijuar asnjë precedent. Kosova është dhe gjithnjë ka qenë një rast i veçantë”.

Pavarësia e Kosovës është në interes të gjithë Ballkanit Perëndimor, ka theksuar kryediplomati kosovar, i cili mori pjesë në shpalljen e mendimit të GJND-së.

Sipas Hysenit, e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në Bashkimin Evropian dhe në NATO. “Për këtë arsye, duhet të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore. Këtë e kërkojmë ne. I takon Serbisë tani që të jetë në nivel të përgjegjësive”.

Në emër të institucioneve të Kosovës, Hyseni ka ritheksuar gatishmërinë për të diskutuar çështje praktike të interesit të ndërsjellë me Serbinë. Por ai ka përsëritur qëndrimin se çfarëdo bisedash me Serbinë duhet të jenë mbi baza të barabarta, si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

Jeremiq: Lufta jonë vazhdon

Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiq, deklaroi në Hagë se Serbia kurrë nuk do ta njohë shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Komentet e tij erdhën pas shpalljes së mendimit të GJND-së për Kosovën, shpallje kjo që e legjitimoi pavarësinë e Kosovës, duke thënë se pasi që “nuk ka ndonjë nen aktiv që limiton shpalljet e pavarësisë, andaj edhe shpallja e Kosovës nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.

“Serbia do të vazhdojë me një luftë paqësore diplomatike për Kosovën...Një gjë e tillë do të jetë e vështirë”, tha Jeremiq, transmeton B92.

“Hapi i ardhshëm do të jetë debati në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë vjeshtë”, tha ai.

Ministri Jeremiq tha se është me rëndësi të madhe që të ruhet paqja dhe stabiliteti në tërë territorin e Kosovës dhe iu bëri thirrje serbë të jenë të qetë.

Në një prononcim për CNN, Jeremiç e ka quajtur “teknik” vendimin e gjykatës. Pasi ka rikujtuar se më shumë se 100 vende nuk e kanë njohur pavarësinë, ai ka thënë se nuk pret që “lojtarët e mëdhenj” të ndërrojnë qëndrimin lidhur me Kosovën.

Në GJND, nis seanca për Kosovën

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, pikërisht në orën 15, ka nisur seanca ku do të shpallet opinioni këshillëdhënës rreth pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i GJND-së nga Japonia, Hisashi Owada, ka nisur leximin e deklaratës, e cila është miratuar paraprakisht nga 15 gjyqtarë.

Në hyrje, gjykatësi japonez ka dhënë arsyetimet pse gjykata do të merret me rastin.

“Gjykata nuk mund të refuzojë t’iu përgjigjet aspekteve ligjore të pyetjes, edhe pse pyetja pjesërisht është politike”, ka thënë Owada, lidhur me pyetjen e shtruar nga Asambleja e OKB-së, me kërkesën e Serbisë, nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

Sipas tij, Gjykata konsideron se e ka juridiksionin për të dhënë mendimin. Por kjo, nuk do të thotë se është e obliguar që do ta ushtrojë këtë juridiksionin.

Gjykata e Hagës, 9:4 për Kosovën

Burime të Express kanë bërë të ditur se nga 15 gjyqtarë të Gjykatës së Drejtësisë së Hagës, të cilët do ta japin opininon këshilldhënës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, 9 janë në favor të Kosovës, 4 janë kundër, ndërsa 1 është për abstenim, ndërkohë që një gjyqtar (kinez) nuk është i përfshirë në procein e votimit.

Shpallja e opinionit të gjyqtarëve bëhet sot në orën 15:00 dhe do të emetohet drejtpërdrejt nga media ndërkombëtare dhe të vendit.

CNN, po ashtu, do ta transmetojë ngjarjen dhe bëhet e ditur se do ta përcjellë edhe Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke e ndjekur seancën e GJND'së.

Gazeta Express

 

Add comment