Asgjë nga koalicioni i socialdemokratëve me opozitën e bashkuar në Ulqin PDF Print E-mail
Tuesday, 20 July 2010 18:16

Ulqin, 20 korrik  - Ditën e martë u pa se Këshilli Komunal i Partisë Socialdemokratike të Ulqinit nuk ka guxim që të pranojë ofertën e Forcës së Re Demokratike për të bashkëqeverisur në Ulqin.

Në përgjigjën dërguar Forcës, socialdemokratët arsyetohen se, me vëmendje e kanë shqyrtuar në nivelin lokal dhe qendror të Partisë Socialdemokratike të Malit të Zi, këtë ofertë.

Në skenën politike, jo vetëm të Ulqinit, por edhe në nivelin shtetëror është shpresuar se socialdemokratët do të jenë të vendosur për të pranuar koalicion me bllokun e partive nacionale shqiptare që i përfaqëson Forca.

“Por, siç e kemi thënë që në takimin tonë të parë, njëkohësisht kemi marrë ofertë edhe nga partnerët tanë të koalicionit të deritashëm për formimin e shumicës parlamentare, me të cilët janë filluar negociatat”, shkruan në këtë përgjigje, shefi i socialdemokratëve të Ulqinit, Selim Resulbegoviq.

Ai thekson se “ofertën tuaj e kemi kuptuar si konstatim logjik të qëndrimit të përbashkët për krijimin e kushteve të daljes së Ulqinit nga gjendja në të cilën ndodhet, se duhet krijuar një front sa më të gjerë edhe duke bashkuar të gjitha potencialet kadrovike, si dhe e kemi përjetuar si mirënjohje për politikën e përgjithshme të PSD-së të Ulqinit”.

Analistët politikë vendorë këtë përgjigje e shohin si hipokrizi politike, sepse “ata nuk kanë guxim politik për ta pranuar këtë ofertë të partisë më të madhe shqiptare – Forcës së Re Demokratike për të qeverisur me Ulqinin”.

Resulbegoviq në përgjigjen me shkrim dërguar Forcës lidhur me pranimin e ofertës së saj për bashkëqeverisje thotë se “kjo do të kishte edhe reperkusionet e veta serioze në funksionimin e koalicioneve tashmë të formuara në disa mjedise të tjera, si dhe në nivelin shtetëror”.

Socialdemokratët ulqinakë nënvizojnë se “tek ne ka zotëruar mendimi se për momentin, nëse partnerët tanë nuk shfaqin gatishmëri për formimin e koalicionit qeverisës, në baza të shëndosha, për të krijuar kushte që të gjitha institucionet e pushtetit lokal të fillojnë realizimin e ingerencave, të cilat u takojnë me Ligjin e qeverisjes vendore, zgjidhja më e mirë është t’u kthejmë mandatet qytetarëve edhe ata ta marrin në duar zgjidhjen e kësaj situate”.

Dy ditë më parë KosovaLive ka kontaktuar me liderin e Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, i cili ka thënë se në ofertën e dërguar, nuk pret përgjigje pozitive nga Këshilli Komunal i Partisë Socialdemokratike, sepse ata nuk guxojnë të “thyejnë vendimet e qendrës së kësaj partie në Podgoricë”.

 

Koha Net

 

Add comment