|
Ulqin, 19 korrik - Fundjava që lëmë pas, Ulqinit i solli fluksin më të madh në këtë vit të turistëve, sidomos të atyre nga Republika e Kosovës, dhe me të drejtë thuhet se turistët kosovarë e kanë “pushtuar” këtë qytet bregdetar. Zaten, ky invazion ka konfirmuar mendimin se pushuesit nga Kosova nuk munden pa këtë vendverim të mirënjohur evropian. Ata, për të pushuar në Ulqin, i motivojnë bukuritë e rralla natyrore, siguria e mirë dhe çmimet jashtëzakonisht konkuruese karshi vendeve tjera bregdetare të rajonit.
Në Organizatën turistike të Ulqinit (OTU) thonë se aktualisht ka mbi 17 mijë turistë të evidencuar, e kjo është rreth 64,5 për qind të vizitës krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në këtë organizatë, por edhe në policinë e Ulqinit, jozyrtarisht vlerësojnë se në Ulqin janë duke veruar katër herë më shumë se sa janë të regjistruar, pra rreth 70 mijë turistë, ka raportuar KosovaLive. Drejtori i OTU-së, Ali Rexha thotë se përveç turistëve tradicionalë të cilët arrijnë nga Kosova, sivjet ka më shumë mysafirë nga Bosnjë e Hercegovina, Polonia, Rumania, Rusia, etj. “Por, mysafirët që sivjet arrijnë nga vendet e rajonit, duket se kanë xhep më të vogël, ndërsa ata që janë nikoqirë të polakëve, çekëve, rusëve, kalojnë më mirë”, shton Rexha. Vërejtja më e madhe e turistëve është se Ulqini menjëherë duhet të përmirësojë infrastrukturën rrugore që e lidh me Shtojin, ku janë koncentruar plazhet, pushimoret dhe restorantet më të njohura në këtë vendverim. Në orët e pasditës, duke u kthyer nga Plazhi i Madh në qytet, duhet pritur madje më shumë se 30 minuta, sidomos në Urën e tashme të Portmilenës që lidhet me Bulevardin “Teuta”. Shumica e turistëve nga Kosova që arrijnë në Ulqin vijnë nëpër Shqipëri. Ata thonë se nuk kanë asnjë maltretim, siç kanë pasur viteve të mëparshme me policinë malazeze, kur bregdetin e Ulqinit e mësynin nëpër Kullë.
Koha Net |